Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpalli konkurset për ndarjen e bursave për studime të ciklit të dytë dhe të tretë në institucionet e arsimit të lartë në Maqedoni, për vitin akademik 2024-2025.
Gjithsej 50 bursa për studime pasdiplomike dhe 20 bursa për studime të doktoraturës do të ndahen për qytetarët maqedonas të cilët do të regjistrohen në një nga institucionet e arsimit të lartë në vend në programet në fushat shkencore në vazhdim: shkenca matematiko-natyrore (biologji, fizikë, gjeofizikë, gjeologji dhe mineralogji, kimi, biokimi, matematikë dhe informatikë) ose shkencat inxhinierike dhe teknologjike (elektroteknik, elektro-makineri, elektronikë dhe automatikë, energjetikë, gjeodezi, ndërtimtari dhe menaxhimi i ujit, inxhinieri kimike, teknologji kimike, teknologji kompjuterike dhe informatikë, inxhinieri mekanike, materiale, metalurgji, gjeologji dhe gjeofizikë të aplikuar, xehetari, trafik dhe transport, teknologji ushqimore, teknologji tekstile dhe inxhinieri telekomunikacioni, inxhinieri për ruajtjen e mjedisit jetësor, inxhinieri për ruajtjen e mjedisit të punës, inxhinieri profesionale dhe inxhinieri industriale dhe menaxhim); shkenca humane dhe shkenca shoqërore.
Shuma mujore e bursës për studime pasdiplomike është 9000 denarë, për 9 muaj të vitit. Ndërsa për studimet e doktoraturës do të paguhen 18.000 denarë në muaj, gjatë gjithë vitit.
Nga ky vit, për bursa për studime pasdiplomike do të mund të aplikojnë edhe studentët që kanë përfunduar ciklin e parë të studimeve në kohëzgjatje prej tre vitesh, gjegjësisht 180 SETK. Udhëheqësia e re e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës pranoi kërkesën e organizatave studentore për heqjen e këtij kufizimi nga vitet e kaluara.
MASH fton kandidatët e interesuar të shikojnë kushtet e konkurrimit dhe të aplikojnë nëse i plotësojnë.
Dokumentet e nevojshme mund të dorëzohen në adresën ose në zyrën administrative të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Rr. “Shën Kirili dhe Metodi” nr. 54, 1000 Shkup (me shenim bursa për studime akademike të ciklit të dytë në vend) ose në mënyrë elektronike në: https://e-uslugi.mon.gov.mk.