Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në takimin punues me prodekanen për Shkencë në Universitetin e Tetovës, Prof.Rabije Murati diskutuan për aktivitetet që duhet të realizohen bashkërisht që kjo qendër akademike të vazhdojë të jetë burim i kuadrove cilësore.
“ Të shumta janë sfidat me të cilat përballet arsimi i lartë në vend ndërsa ne si krijues të politikave arsimore, duke mos cenuar autonominë akademike, jemi këtu për të dëgjuar kërkesat dhe për të vepruar në përputhje me rrethanat.
Me prodekanen Murati, veçanërisht iu referuam programeve të studimit të Fakultetit Pedagogjik, të hartuara sipas sistemit të Bolonjës, ku arsimohen mësimdhënës të grupit klasorë, pedagogë, edukator specialë ndërsa në ciklin e dytë dhe të tretë magjistra dhe doktorë të shkencave.
“Reformat arsimore po zhvillohen me dinamikën e planifikuar, andaj është e nevojshme që programet e studimit pedagogjik të harmonizohen dhe të sigurohet kuadër mësimor i përgatitur që do të mund të përballet me trendet bashkëkohore arsimore dhe digjitalizimin”, theksoi ministri Shaqiri.
Universiteti investon në vazhdimësi në programet mësimore, theksoi prof. Murati, me qëllim që studentët të jenë konkurrues në tregun akademik evropian dhe të fitojnë specializim përmes zhvillimit të kompetencave.
Në takim u diskutua edhe për mundësitë për inkurajimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore të Universitetit.