Ministri i Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë Mr. Abdilaqim Ademi, sot ka marrë pjesë në takimin e katër ministror : “Platforma e Ballkanit Perëndimor për Arsim dhe Trajnim” që mbahet në Vlorë, Republika e Shqipërisë. Ai para të pranishmëve, sot mbajti fjalim në temën “Investimi në arsimin e larte për Inovacion –arritjet dhe sfidat.

Në fjalën e tij, ministri Ademi tha se në krijimin dhe implementimin e politikave nga fusha e arsimit të lartë, Republika e Maqedonisë rishqyrton rekomandimet kombëtare dhe rajonale të miratuara në takimin ministror i mbajtur në Torino në vitin 2013.
Përcjellja e progresit të reformave në masë të madhe përbëhet nga këto rekomandime. Në suaza të këtyre janë edhe aktivitetet për inovacion dhe investim në arsimin e lartë, tha ai.

“Njëra nga pesë qëllimet strategjike të Programit për punën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për periudhën e vitit 2011 - 2015 është investimi në arsim, shkencë dhe teknologji informatike si element i shoqërisë bazuar në dituri. Koherenca e përpjekjeve arrihet përmes zbatimit të koordinuar të Strategjisë për inovacion, Strategjisë për sipërmarrësi... ”, tha ministri Ademi. Ai përmendi disa projekte që realizohen, si projekti për pajisjen e Institucioneve të larta arsimore dhe Institutet me laborator bashkëkohorë, përkthimin e 1 000 titujve shkencorë, dhe librave shkollorë me të cilat mësohet nëpër universitetet më të njohura dhe me renome, projektet e infrastrukturës shkollore, projektet në drejtim të përmirësimit të kushteve dhe vendosjen e studentëve si dhe projektet tjera.
Ministri Ademi tha se vendi bënë përpjekje serioze për implementimin e Strategjisë për inovacione dhe sipas Ligjit për inovacion, në dhjetor të vitit 2013 u formuar Fondi për Inovacion.
“Misioni i fondit është nxitja dhe mbështetja e veprimtarisë inovative tek ndërmarrjet mikro, të vogla të mesme dhe ndërmarrje të reja me qëllim të përshpejtimit të zhvillimit teknologjik i bazuar në përcjelljen e njohurive, hulumtimin zhvillimor dhe inovacione që kontribuojnë në rritje dhe zhvillim ekonomik, por edhe në përmirësimin e klimës afariste për zhvillimin e aftësisë konkurruese të kompanive”, tha ai. Ministri theksoi se investimi i inovacioneve në arsimin e lartë në masë të madhe është ndihmuar nga përpjekjet e përbashkëta të Republikës së Maqedonisë dhe vendeve me të cilat kemi marrëveshje bilaterale për bashkëpunim shkencoro - hulumtues dhe zhvillim në arsimin e lartë me disa vende të rajonit dhe më gjerë ku janë duke u realizuar projekte bilaterale shkencoro-hulumtuese, shkëmbim i studentëve të ciklit të parë, dytë dhe ciklit të tretë, profesorëve vizitues si dhe ekspert me ç’rast nxitet të mësuarit dhe promovimi i gjuhës e kështu me radhë.

“Bashkëpunimi multilateral luan një rol të rëndësishëm për investim në arsimin e lartë ku para se gjithash është mundësuar bashkëpunimi me Agjencinë ndërkombëtare për energji atomike përmes programeve të BE Erazmus+, Horizont 2020, Kost, Eureka etj”, u shpreh ministri i Arsimit dhe Shkencës”, tha Ademi.

Sipas tij, Strategjia hulumtuese-zhvillimore e Ballkanit Perëndimor hap një mundësi të veçantë për bashkëpunim mes vendeve të rajonit. Ai në fjalën e tij u ndal edhe në përgatitjen e Ligjit të ri për arsim të larte ku theksoi se janë përfshirë të gjitha palët në përgatitjen e tij.
Ndryshe, ministri Ademi në kuadër të këtij takimi, dje, nënshkroi disa Marrëveshje për bashkëpunim me ministrin e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe me ministrin kosovar të Arsimit dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami.